Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave priten negociata më të avancuara me Lidhjen Demokratike të Kosovës për formimin e institucioneve të reja.
Konjufca ka thënë se para seancës konstituive të Kuvendit, e cila është paraparë të mbahet të enjten, mund të zhvillohen takime të tjera politike mes partive me qëllim të tejkalimit të situatës aktuale.
Ai ka paralajmëruar se LVV pritet t’i dërgojë ftesë LDK-së për të nisur bisedimet, duke shprehur optimizëm se mund të arrihet një marrëveshje për pozitat kryesore institucionale, përfshirë edhe atë të presidentit.
“Do të hyjmë në negociata më të thelluara me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe më pas do të shohim rezultatin e këtij procesi”, ka deklaruar Konjufca.
Sipas tij, edhe nga LDK-ja është shprehur gatishmëri për dialog politik, ndërsa ai beson se kjo mund të çojë në një zgjidhje për krijimin e institucioneve të vendit.




