Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka publikuar Raportin e Stabilitetit Financiar për vitin 2025, duke vlerësuar se sistemi financiar i vendit ka ruajtur stabilitet të lartë dhe qëndrueshmëri ndaj rreziqeve.
Sipas raportit, pavarësisht sfidave globale, tensioneve gjeopolitike dhe presioneve inflacioniste, sektori financiar ka mbetur i fortë falë kapitalit të mjaftueshëm, likuiditetit të qëndrueshëm dhe cilësisë së mirë të aseteve.
BQK thekson se rreziqet ndaj stabilitetit financiar mbeten nën kontroll, ndërsa avancimi i digjitalizimit, sigurisë kibernetike dhe infrastrukturës financiare ka rritur efikasitetin dhe besimin në sistem.
Banka Qendrore ka bërë të ditur se do të vazhdojë zbatimin e politikave mbikëqyrëse dhe makroprudenciale, në përputhje me standardet evropiane, për të ruajtur stabilitetin financiar dhe për të mbështetur zhvillimin ekonomik të vendit.




