Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të zhvillojnë sot në orën 18:00 një takim në Kuvendin e Kosovës, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve të reja.
Takimi vjen dy ditë para seancës së 6 gushtit për konstituimin e legjislaturës së re. Kurti ka ftuar në konsultime të gjitha partitë parlamentare, me synimin për të gjetur një zgjidhje për tejkalimin e ngërçit politik.
LDK-ja ka konfirmuar pjesëmarrjen në takim, ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja kanë refuzuar ftesën, duke përsëritur se do të mbeten në opozitë dhe nuk do të marrin pjesë në bisedimet për formimin e institucioneve.




