Juristja e medias, Flutura Kusari, ka kritikuar vendimin e SHSKUK-së për zhvillimin e mbyllur të mbledhjeve të Bordit, duke e cilësuar arsyetimin ligjor të institucionit si të gabuar.
Sipas Kusarit, Ligji për Shëndetësi dhe Statuti i SHSKUK-së nuk e ndalojnë monitorimin e mbledhjeve nga publiku dhe mediat, ndërsa ajo pretendon se institucioni është mbështetur në një interpretim të gabuar për të justifikuar mbylljen e tyre.
Ajo tha se qëllimi i reagimit nuk është vetëm hapja e mbledhjeve, por dokumentimi i mënyrës së funksionimit dhe nivelit të transparencës së institucioneve publike.
Kusari kritikoi mungesën e transparencës për një institucion që menaxhon qindra miliona euro, duke ngritur pyetje për mënyrën e përdorimit të fondeve publike dhe furnizimin me barna për pacientët.
SHSKUK më herët ka mbrojtur vendimin për mbylljen e mbledhjeve, duke u thirrur në interpretimin e dispozitave ligjore.




