Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, ka reaguar pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar situatën aktuale politike dhe institucionale si një nga më të rëndat për vendin.
Në një konferencë për media, Gjini akuzoi pushtetin për, siç tha ai, uzurpim të institucioneve dhe krijim të një krize të thellë kushtetuese.
Ai deklaroi se Kosova aktualisht përballet me mungesë të funksionimit të plotë të institucioneve, duke përmendur mungesën e presidentit, kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, si dhe paqartësitë rreth funksioneve qeverisëse.
Gjini kritikoi proceset politike pas zgjedhjeve të fundit, duke pretenduar se zvarritjet në formimin e institucioneve kanë sjellë vendin në një situatë të re të krizës.
Sipas tij, ndërprerja e sotme e procesit të konstituimit nuk ka arsyetim shtetëror dhe përbën, siç u shpreh ai, “grusht shteti të brendshëm”.
Kreu i AAK-së tha se përgjegjësia për tejkalimin e krizës duhet të kërkohet te ata që, sipas tij, po e pengojnë funksionimin normal të institucioneve, ndërsa shtoi se me kalimin e kohës do të bëhen të qarta arsyet e zhvillimeve aktuale politike.




