Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, i ka bërë ftesë publike kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për një debat televiziv, duke thënë se qytetarët duhet t’i dëgjojnë drejtpërdrejt qëndrimet e palëve.
Në një konferencë për media, Gjini deklaroi se është i gatshëm të përballet me Kurtin në çdo televizion dhe në çdo kohë që ai e zgjedh.
“Le ta zgjedhë vetë studion, gazetarin, televizionin, kohën dhe ditën. Unë jam i gatshëm të përballem, që qytetarët e Kosovës të dëgjojnë se çfarë kemi për t’i thënë njëri-tjetrit”, u shpreh Gjini.
Ai kritikoi takimet private politike, duke thënë se ato nuk duhet të zëvendësojnë debatet publike para qytetarëve.
Gjini gjithashtu deklaroi se AAK nuk mban përgjegjësi për ngërçin institucional, duke theksuar se partitë që janë në negociata kanë numrat e nevojshëm për formimin e institucioneve.
Ai ngriti edhe çështje që lidhen me energjinë dhe projektet strategjike të vendit, duke kërkuar përgjigje për politikat afatgjata të Kosovës. Sipas tij, qytetarët duhet të marrin sqarime për vendimet që ndikojnë në të ardhmen e vendit.




