Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se pas takimit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, nuk është arritur përparim drejt një marrëveshjeje politike.
Ai theksoi se palët mbeten “shumë larg” një dakordimi dhe se përgjegjësia për konstituimin e Kuvendit i takon partisë së parë.
“Për LDK-në dhe për mua nuk ka asnjë arsye të vonohet konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e kryetarit e kryesisë. Sot duhet të mbahet seanca. Sa më shumë të vonohemi, aq më e vështirë bëhet arritja e një marrëveshjeje. Përderisa nuk ka balancë institucionale, nuk ka as marrëveshje politike”, u shpreh Abdixhiku.
Ai shtoi se LDK-ja ka hyrë në bisedime me vullnet për të gjetur një zgjidhje, por sipas tij, zhvillimet aktuale nuk lënë shumë hapësirë për optimizëm.
Abdixhiku bëri të ditur gjithashtu se një nga pikat kryesore ku nuk është arritur dakordim me LVV-në është çështja e presidentit të vendit.
Sipas tij, LDK-ja kishte propozuar që kandidati për president të vinte nga kjo parti, ndërsa emri të diskutohej më pas mes palëve, por kjo nuk është pranuar.
“LDK ka shpresuar që presidenti të propozohet nga LDK-ja, pastaj emrat të diskutohen. Në këtë pikë nuk ka pasur dakordim”, deklaroi Abdixhiku.




