Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim zyrtarë të lartë shqiptarë nga Mali i Zi, gjatë vizitës së tyre në Kosovë në kuadër të Konferencës së IX të Ambasadorëve.
Në takim morën pjesë Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, si dhe Ambasadorët e Kosovës dhe Malit të Zi në Podgoricë dhe Prishtinë.
Diskutimet u përqendruan te pozita dhe përfaqësimi i shqiptarëve në Mal të Zi, roli i tyre në jetën politike e institucionale dhe zhvillimet me rëndësi për komunitetin shqiptar.
Konjufca theksoi rëndësinë e faktorit shqiptar në zhvillimin demokratik dhe orientimin euroatlantik të Malit të Zi.
Palët diskutuan edhe për marrëdhëniet Kosovë–Mal i Zi, të cilat u vlerësuan si të mira dhe të bazuara në bashkëpunim e respekt të ndërsjellë. Në takim u theksua gjithashtu rëndësia e Malit të Zi si partner i Kosovës në procesin e integrimit evropian.
Gjeloshaj dhe Nimanbegu morën pjesë edhe në panelin e Konferencës së IX të Ambasadorëve, ku u diskutua për integrimin e Malit të Zi në BE dhe rolin e shqiptarëve në këtë proces.




