Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka kritikuar opozitën në Kosovë, duke e cilësuar si të dobët dhe të paaftë për ta sfiduar kryeministrin në detyrë dhe kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Në një deklaratë për T7, Haradinaj tha se Kurti ka arsye të jetë i qetë përballë mënyrës se si po vepron opozita.
“Pse mos me u relaksu ai? Çka po bën opozita?”, u shpreh Haradinaj.
Ai kritikoi ashpër qasjen e subjekteve opozitare, duke thënë se ato nuk po arrijnë të ushtrojnë presion të mjaftueshëm ndaj Kurtit.
Sipas tij, një pjesë e deputetëve janë rehatuar me pagat dhe paraqitjet publike, pa ndërmarrë veprime të mjaftueshme politike.
“Kemi deputetë që janë rahatu me një rrogë, janë rehatu me dy-tri intervista, janë rehatu materialisht”, deklaroi Haradinaj.
Ai shtoi se, me këtë nivel të opozitës, Kurtit nuk i rrezikohet pozita politike dhe se “s’ka nevojë me iu prishë relaksi”.




