Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka reaguar ndaj deklarimeve për kontratën me kompaninë ESM të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se marrëveshja nuk përbën koncesion.
Sipas KEK-ut, kontrata ka të bëjë vetëm me shitjen e qymyrit dhe nuk përfshin minierat, asetet apo resurset e Korporatës.
KEK ka bërë të ditur se kontrata dhe dokumentet e tenderit janë publike dhe mund të verifikohen në platformën e-Prokurimi.
Marrëveshja parasheh shitjen e qymyrit me çmim 24.4 euro për ton pa TVSH, për një periudhë 36-mujore, me vlerë potenciale deri në 73.2 milionë euro.
Sipas KEK-ut, blerësi do të jetë përgjegjës për eskavimin dhe transportin, ndërsa furnizimi i termocentraleve dhe prodhimi vendor i energjisë mbeten prioritet.
KEK e ka cilësuar si të pabazuar paraqitjen e marrëveshjes si “koncesion” dhe ka kërkuar që për këtë çështje të përdoren dokumentet zyrtare.




