Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kritikuar politikën energjetike të Qeverisë, duke e lidhur eksportin e thëngjillit me mungesën e investimeve në kapacitete të reja energjetike.
Hoti, përmes një postimi, tha se Kosova po eksporton thëngjill, ndërsa në anën tjetër po importon energjinë elektrike të prodhuar nga kjo lëndë e parë.
Sipas tij, pas anulimit të projekteve të mëdha energjetike, gjatë viteve të fundit nuk është ndërtuar asnjë kapacitet i ri stabil për prodhimin e energjisë, qoftë me thëngjill apo gaz.
“Vendi që eksporton lëndë të parë dhe importon produktin e gatshëm të prodhuar nga ajo lëndë e parë tregon varfërinë ekonomike dhe mungesën e vizionit për zhvillim”, ka shkruar Hoti.
Ai e ka cilësuar këtë situatë si rezultat të politikave të Qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, duke e kritikuar ashpër qasjen e saj ndaj sektorit të energjisë.




