Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vrasjes së 25-vjeçares në Malishevë, e cila ishte në javën e 34-të të shtatzënisë.
Haxhiu ka thënë se kjo ngjarje është tronditëse dhe se shoqëria nuk mund të jetë e sigurt përderisa gratë nuk janë të sigurta as në shtëpitë e tyre.
Ajo ka theksuar se dhuna nuk duhet të fshihet apo arsyetohet përmes familjes dhe martesës, ndërsa ka kërkuar nga institucionet që të veprojnë pa vonesë në raste kur rrezikohet jeta e grave.
“Organet e drejtësisë duhet ta zbardhin plotësisht këtë vrasje të rëndë dhe të veprojnë me gjithë përgjegjësinë që kërkon një rast i tillë”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo i ka shprehur ngushëllime familjes së 25-vjeçares për humbjen e rëndë.




