Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbështetur kandidaturën e profesor doktor Bekim Sejdiut për president të Kosovës, duke e cilësuar atë si një emër që i bën nder Republikës.
Osmani tha se Sejdiu i plotëson kriteret e përcaktuara nga grupi parlamentar i LDK-së dhe se kandidatura e tij është në përputhje me vendimin e Këshillit të LDK-së për t’i dhënë vendit institucione stabile.
“Kandidatura e zotëri Sejdiut i bën nder gjithë Republikës së Kosovës. Jo vetëm që i plotëson të gjitha kriteret për të cilat ne patëm rënë dakord unanimisht, por respekton edhe vendimin e Këshillit të LDK-së që Kosovës t’i japë institucione”, tha Osmani.
Ajo vlerësoi përvojën e Sejdiut në çështjet që lidhen me Kosovën, duke përmendur kontributin e tij në marrëdhëniet me SHBA-në, integrimin euroatlantik, çështjet kushtetuese dhe përballjen me Serbinë.
Sipas Osmanit, zgjedhja e presidentit është përgjegjësi e të gjithë deputetëve, ndërsa tha se Sejdiu mund të kontribuojë në mbrojtjen e Kushtetutës, demokracisë dhe aleancave strategjike të Kosovës.
E pyetur për deklaratën e Armend Zemajt se kandidatura e Sejdiut është “kurth i Albin Kurtit”, Osmani e hodhi poshtë një vlerësim të tillë.
“LDK-ja nuk bie në kurthet e kërkujt. Ne me krenarinë më të madhe e kemi propozuar profesor Bekim Sejdiun. Emri i tij nuk është kurth, por është nder për Republikën e Kosovës”, u shpreh ajo.
Osmani tha se brenda grupit parlamentar të LDK-së ka pasur dakordim unanim që kandidati për president të jetë jopartiak dhe se Sejdiu, sipas saj, i plotëson këto kritere.
Ajo shtoi se zgjedhja e presidentit dhe krijimi i institucioneve stabile janë në interes të vendit, duke theksuar se zgjedhjet e reja nuk do të ishin në interes të qytetarëve dhe se ngërçi institucional ka shkaktuar dëme për Kosovën edhe në planin ndërkombëtar./EO/




