Prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë mund të përballet me pasiguri pas 4 tetorit, kur skadojnë licencat e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”.
Problemi lidhet me Bordin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), i cili aktualisht nuk ka kuorum për të marrë vendime. Pa funksionalizimin e Bordit, licencat e KEK-ut nuk mund të vazhdohen.
KEK-u tashmë ka aplikuar për vazhdimin e licencave, ndërsa procedura për plotësimin e Bordit kërkon edhe funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës.
Rëndësia e kësaj çështjeje është e madhe, pasi termocentralet e KEK-ut prodhuan rreth 4.7 mijë GWh energji vitin e kaluar, duke përbërë pjesën dërrmuese të prodhimit vendor.
Një ndërprerje e mundshme do ta rriste ndjeshëm varësinë e Kosovës nga importi i energjisë dhe mund të shkaktonte kosto të larta financiare.
Aktualisht, institucionet nuk kanë dhënë një përgjigje të qartë se çfarë do të ndodhë nëse licencat skadojnë dhe Bordi i ZRRE-së nuk arrin të funksionalizohet deri atëherë./EO/




