Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka paralajmëruar se partia e tij do të ndërmarrë hapa të rinj politikë, institucionalë dhe juridikë lidhur me krizën për konstituimin e Kuvendit.
Duke folur në Kuvend, Hamza tha se PDK-ja nuk do të pranojë, siç u shpreh ai, shkeljen e Kushtetutës, moszbatimin e vendimeve të gjykatave dhe vonesat në funksionalizimin e institucioneve.
Ai kritikoi edhe vendimin për vazhdimin e seancës konstituive më 9 shtator, duke pretenduar se kjo datë tejkalon edhe afatin prej 30 ditësh të interpretuar më herët nga Vetëvendosje.
Sipas Hamzës, institucionet e Kosovës nuk duhet të varen nga interesat e një partie apo individi dhe respektimi i ligjit duhet të jetë mbi çdo interes politik.
Kreu i PDK-së paralajmëroi se partia do të shqyrtojë forma të tjera të veprimit, duke theksuar se do të përdorë të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale për rikthimin e, siç tha ai, ligjshmërisë dhe funksionimit normal të institucioneve./EO/




