Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të dyshuar të kontrabandimit me mallra në brezin kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Rasti është zbuluar më 9 shtator, kur policia ndaloi një automjet pa targa, të drejtuar nga një shtetas kosovar. Gjatë kontrollit, në automjet u gjetën produkte të ndryshme, përfshirë susam, qumësht pluhur, bombola gazi, poça elektrikë dhe çokollata.
Vlera e mallrave, sipas policisë, arrin rreth 20 mijë euro, pa përfshirë akcizat dhe detyrimet doganore.
I dyshuari nuk posedonte dokumentacion për prejardhjen e mallrave.
Ai, së bashku me automjetin, është shoqëruar për procedim të mëtejshëm, ndërsa mallrat e sekuestruara, me urdhër të prokurorit, i janë dorëzuar Doganës së Kosovës.




