Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, u ka bërë thirrje deputetëve të PDK-së dhe LDK-së që të marrin pjesë në vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit, e cila është caktuar për të dielën në orën 10:00.
Nagavci tha se pret që LDK-ja të jetë e pranishme në sallë dhe të marrë pjesë në procesin e votimit për kandidatin e saj për postin e nënkryetarit të Kuvendit.
Ajo kërkoi gjithashtu nga deputetët e të dyja partive që të marrin pjesë në seancë dhe të paraqesin propozimet e tyre, me qëllim të vazhdimit të procesit të konstituimit të Kuvendit.
“U bëjmë thirrje që të dielën, në orën 10:00, të jenë të pranishëm në sallë dhe të marrin pjesë në procesin e votimit. Në veçanti, LDK-ja duhet të marrë pjesë në votimin e kandidatit të saj për nënkryetar të Kuvendit”, deklaroi Nagavci./EO/




