Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë për marshin solidarizues paqësor që mbahet sot, më 12 shtator, nga ora 14:00 në sheshet “Zahir Pajaziti”, “Nëna Terezë” dhe “Skënderbeu” në Prishtinë.
Sipas Policisë, masat synojnë garantimin e sigurisë së pjesëmarrësve, qytetarëve dhe pjesëmarrësve në komunikacion, si dhe ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë gjithë aktivitetit.
Për shkak të marshit, priten kufizime dhe ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa rrugë të kryeqytetit. Rrugët e planifikuara për bllokim janë “Agim Ramadani”, “Luan Haradinaj” dhe “Enver Zymberi”, ndërsa në varësi të situatës mund të ketë ndërprerje edhe në rrugë të tjera.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe të kontribuojnë që marshi të zhvillohet qetë dhe pa incidente.




