Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka reaguar lidhur me protestat e paralajmëruara për të mërkurën, më 16 shtator, në Prishtinë dhe në disa qytete të tjera të vendit.
Në njoftimin e saj, ambasada ka paralajmëruar qytetarët për mundësinë e tubimeve të mëdha, bllokimit të rrugëve dhe vështirësive të konsiderueshme në qarkullim.
Për këtë arsye, qytetarëve u është rekomanduar që të planifikojnë me kujdes lëvizjet e tyre dhe të shmangin zonat ku priten grumbullime. Kujdes i shtuar kërkohet edhe nga personat që mund të ndodhen pranë turmave të mëdha.
Ambasada ka njoftuar gjithashtu se personeli i Qeverisë amerikane është udhëzuar të shmangë udhëtimet jo të domosdoshme në afërsi të protestave. Për shkak të mundësisë së pengesave në trafik, familjeve të personelit u është rekomanduar që fëmijët të mos i dërgojnë në shkollë më 16 shtator.
Protestat janë paralajmëruar në ditën kur në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi ndaj katër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, çështje që ka nxitur reagime dhe interesim të madh publik në Kosovë.




