Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca fillestare ndaj 53 personave të akuzuar për Masakrën e Mejës dhe krimet e kryera në disa fshatra të rajonit të Gjakovës.
Asnjëri prej të akuzuarve nuk është i pranishëm në sallën e gjyqit. Procedura po zhvillohet në mungesë, ndërsa ata përfaqësohen nga avokatët e tyre. Seanca është mbajtur pas një vendimi të Gjykatës së Apelit, e cila u kishte dhënë të akuzuarve kohë shtesë për t’u paraqitur.
Sipas aktakuzës, krimet kanë ndodhur gjatë muajit prill të vitit 1999 dhe kanë përfshirë vrasjen e qindra civilëve shqiptarë, dëbimin e popullsisë, plaçkitjen dhe shkatërrimin e pronës. Trupat e disa prej viktimave më vonë janë gjetur në varrezat masive në Batajnicë të Serbisë.
Aktakuza është ngritur në dhjetor të vitit 2023 dhe përfshin 53 persona, të cilët dyshohen për role të ndryshme në organizimin dhe koordinimin e forcave gjatë operacionit në zonën e Mejës dhe fshatrave përreth.
Sipas të dhënave të përfshira në aktakuzë, vetëm në Mejë u vranë 270 civilë, ndërsa 13 persona vazhdojnë të figurojnë si të pagjetur. Viktima dhe persona të pagjetur janë raportuar edhe në Korenicë, Pacaj, Dobrosh, Rracaj, Nec, Ramoc dhe Bishtazhin.




