Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka deklaruar se partia e tij nuk është pjesë e negociatave për zgjedhjen e presidentit dhe se procesi i PDK-së për propozimin e një kandidati tashmë është mbyllur.
Duke folur për tërheqjen e kandidaturës së Bekim Sejdiut, Gruda tha se PDK-ja ka qenë skeptike që nga fillimi për mundësinë që Albin Kurti ta mbështeste atë për president. Sipas tij, kandidatura ka shërbyer më shumë për krijimin e një situate të re politike.
Gruda u shpreh gjithashtu se takimi i Rrustem Mustafës me Kurtin përfaqëson qëndrim personal dhe jo qëndrim zyrtar të PDK-së. Ai tha se partia nuk po zhvillon dialog me Lëvizjen Vetëvendosje për këtë çështje.
Sipas Grudës, PDK-ja ka zhvilluar bisedime për presidentin edhe para edhe pas zgjedhjeve të 7 qershorit, por pa arritur marrëveshje. Ai akuzoi Kurtin se synon të kontrollojë të gjitha pushtetet dhe tha se PDK-ja nuk do ta lejojë një përqendrim të tillë të pushtetit.




