Flora Brovina është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare. Ajo ishte mjeke pediatre, poete, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe një nga figurat e njohura të angazhimit shoqëror e politik në Kosovë.
Gjatë luftës, Brovina u angazhua në ofrimin e ndihmës për civilët dhe viktimat e dhunës. Ajo themeloi dhe drejtoi Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, përmes së cilës u ofrua ndihmë mjekësore dhe psikologjike për viktimat.
Në vitin 1999, ajo u arrestua nga autoritetet serbe dhe u dënua me 12 vjet burg, ndërsa u lirua në nëntor të vitit 2000 pas ndërhyrjes ndërkombëtare.
Pas luftës, Brovina vazhdoi angazhimin e saj në politikë dhe u zgjodh deputete e Kuvendit të Kosovës. Ajo ishte aktive në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe fëmijëve dhe në proceset e shtetndërtimit të Kosovës.




