Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen,sot vizitoi Tiranën, ajo vlerësoi përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, duke e cilësuar atë si një përparim “me shpejtësi rekord”.
Gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin Edi Rama, ajo theksoi mbështetjen e BE-së për mbylljen e negociatave deri në vitin 2027.
Duke folur për sfidat aktuale në kontinentin europian, ajo u ndal edhe te situata gjeopolitike pas agresionit rus ndaj Ukrainës duke thënë se:
“Momenti gjeopolitik është tani. Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës ka riformësuar kontinentin tonë dhe çdo vend europian duhet të zgjedhë vendin e tij. Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj mjaft të qartë”.
Von der Leyen ndodhet në Tiranë si pjesë e një turi në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku në fokus janë procesi i anëtarësimit dhe plani ekonomik i Bashkimit Europian për rajonin.




