Kongresi i Autoriteteve Vendore dhe Rajonale i Këshillit të Evropës ka mirëpretur zhvillimin e zgjedhjeve lokale pluraliste, gjithëpërfshirëse dhe garuese, pavarësisht politizimit të institucioneve.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se pas ftesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një delegacion në përbërje prej nëntë anëtarësh i Kongresit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve, i kryesuar nga Dominique Lévêque (Francë, SOC/G/PD), përmbylli dje misionin e tij për vëzhgimin e raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, të mbajtura të dielën më 12 tetor 2025.
Kjo ishte hera e parë që Kongresi i ka vëzhguar zgjedhjet në Kosovë.
“Para misionit në terren, më 10-11 tetor, u zhvilluan takime me institucionet përgjegjëse për administrimin e zgjedhjeve, organet për shqyrtimin e ankesave dhe parashtresave, si dhe me përfaqësues të trupit diplomatik, mediave dhe OJQ-ve”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se në përgjithësi, vëzhguesit e Kongresit konstatuan se dita e zgjedhjeve u karakterizua nga qetësia dhe menaxhimi i mirë i procesit, me vetëm disa parregullsi të vogla.
Nga ana tjetër, siç thuhet në njoftim ata shprehin keqardhje për vendimet fillestare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për refuzimin e certifikimit të Listës Srpska dhe për mohimin fillestar të akreditimit të mediave në gjuhën serbe.
Pjesëmarrja e votuesve jashtë vendit në zgjedhjet lokale sipas njoftimit thuhet se duhet të rishqyrtohet, në përputhje me Rekomandimin 369(2015) të Kongresit.




