Gjysmë metri është fleta më e gjatë e votimit e shtypur për Zgjedhjet Lokale që do të mbahen më 19 tetor në Maqedoninë e Veriu. Për shkak të numrit të madh të fletëve për zgjedhjen e kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve dhe gjatësisë së tyre jashtë standardit, kjo ishte një nga procedurat më komplekse për shtypjen e materialit zgjedhor deri tani.
Përveç partive, në këto Zgjedhje Lokale do të ketë edhe 69 kandidatë për kryetarë komunash dhe 68 lista për këshilltarë nga iniciativa të pavarura.
Sot në mëngjes, me sigurim policor filloi shpërndarja e materialit zgjedhor nga shtypshkronja “Kiro Dandaro” në Manastir deri te të gjitha Komisionet Zgjedhore Komunale në vend. Shpërndarjen e kryejnë 17 ekipe të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) me sigurim nga Ministria e Punëve të Brendshme.
“Janë shtypur gjithsej 4.613.438 fletë votimi në nivel shtetëror, përfshirë fletët për kryetarë dhe këshilltarë në komunat. Ka 254.262 faqe të shtypura të regjistrave të zgjedhësve dhe kopjet e veçanta të regjistrave. 8.692 procesverbale si material i besueshëm për përcaktimin e rezultateve zgjedhore dhe 8.330 kopje në shkrim Braille”, deklaroi kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Boris Kondarko.
Në këto zgjedhje do të ketë 1.832.415 zgjedhës, 3.480 vendvotime, por do të hapen vetëm 3.474, sepse në gjashtë prej tyre nuk ka regjistruar zgjedhës ose nuk ka popullsi.
Procesi i shtypjes përfundoi dy ditë më herët, para shpërndarjes materiali zgjedhor u kontrollua detajisht, u sigurua, u paketua dhe u klasifikua në mënyrë të duhur.




