Raporti i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut zbardh përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë dhe Rusisë në projekte destabilizuese në Ballkan përmes projektit “Bota Serbe”, me theks të veçantë në Kosovë.
Kisha Ortodokse Serbe, grupet paramilitare dhe liderët politikë përdoren si instrumente për avancimin e kësaj agjende.
Projekti “Bota Serbe” është identifikuar nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut si një nga instrumentet kyçe përmes të cilit Rusia, në bashkëpunim me elitën politike serbe, po tenton të rikthejë ndikimin në Ballkan, me fokus të veçantë në Kosovë.
Sipas raportit, pas disfatave në luftërat e viteve ’90 dhe shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Beogradi, me mbështetje të drejtpërdrejtë nga Moska, i është kthyer ideologjisë së “projektit shtetëror”, tashmë të njohur si “bota serbe”.
Raporti kritikon Perëndimin për tolerancën ndaj këtyre zhvillimeve, duke theksuar se përpjekjet për ta afruar Serbinë me strukturat euroatlantike janë bërë shpesh duke injoruar rolin e saj destabilizues në Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Raporti i Helsinkit vë në dukje se Kisha Ortodokse Serbe (KOS) është bërë një nga aktorët më të rëndësishëm në përpjekjet për rritjen e ndikimit serbo-rus në rajon, sidomos në Kosovë. Një shembull i kësaj përfshirjeje është takimi i patriarkut serb Porfirije me presidentin rus Vladimir Putin më 22 prill 2025 në Moskë.
Për më tepër, Parlamenti Evropian në mars 2022 kishte shprehur shqetësim për përpjekjet e Kishës Serbe në rajon për të promovuar Rusinë si mbrojtëse e “vlerave tradicionale familjare” dhe për të forcuar lidhjet e shtetit me Kishën.
Sipas eurodeputetëve, kjo është pjesë e një strategjie më të gjerë të Kremlinit për të ndezur konfliktet dhe përçarjet etnike në Ballkan.Në këtë kontekst, Kosova paraqitet si një nga frontet më të rrezikuara.




