Deficit tregtar prej 21,2% në muajin shtator 2025, krahasuar me shtator 2024
Të dhënat nga tregtia e jashtme e mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar prej 21,2% në muajin shtator 2025, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2024, gjegjësisht në vlerë prej 520,5 milion Euro, krahasuar me deficitin prej 429,4 milion Euro në vitin 2024. Eksporti mbulon importin me 14,1%.
Eksporti i mallrave në muajin shtator 2025 kishte vlerën 85,8 milion Euro, ndërsa importi 606,2 milion Euro, që është një rritje prej 10,7% për eksport, si dhe një rritje prej 19,6% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 19,1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12,5% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 12,4% e përbëjnë produktet minerale; 11,5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9,5% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 7,7% e përbëjnë produktet bimore, etj.
Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore të importit: 14,6% e përbëjnë produktet minerale; 11,3% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 11,3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 11,2% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10,0% e përbëjnë mjetet e transportit; etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 28,0 milion Euro, ose rreth 32,7% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 2,6%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (11,5%), Italia (2,9), Holanda (2,6%), etj.
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 249,4 milion Euro, ose 41,1% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 17,3%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (12,7%), Italia (6,1%), Polonia (3,4%), etj.
Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 40,6 milion Euro, ose 47,4% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 21,4%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (21,4%), Maqedonia e Veriut (11,0%), Serbia (8,4%), Mali i Zi (4,8%), etj.
Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 87,8 milion Euro, ose 14,5% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 34,4%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Maqedonia e Veriut (5,6%), Shqipëria (3,6%), Serbia (3,5%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 17,1 milion Euro, ose 19,9%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (11,0%) dhe Turqia (3,7%).
Importet e Kosovës me vendet e tjera arritën në 269,0 milion Euro, ose 44,4%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Kina (15,6%) dhe Turqia (12,8%).




