Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot pasdite në Pejë, ku një person është gjetur pa shenja jete në lumin Lumbardh, në afërsi të rrugës Pejë – Rugovë, në vendin e njohur si “kthesa e madhe”.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar rreth orës 14:10, kur qytetarë kanë njoftuar autoritetet për një trup që dyshohej të ishte pa jetë në lum.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore, ekipet e zjarrfikësve dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë bërë nxjerrjen e trupit nga lumi.
Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e personit, ndërsa identiteti i viktimës nuk është bërë ende i ditur.
Policia ka rrethuar zonën dhe është duke zhvilluar hetimet për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje, ndërsa trupi i pajetë pritet të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.




