Media gjermane “Berliner Zeitung” ka publikuar një artikull mbi dështimin e formimit të Qeverisë së re të Kosovës të dielën, duke theksuar se tensioni ishte i ndjeshëm gjatë seancës që nisi me mbi një orë vonesë.
Në artikull thuhet se “për herë të tretë në karrierën e tij politike, Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, kërkonte të zgjidhej kryeministër i vendit ballkanik. Rezultati: një dështim që ishte i pritshëm. Vetëm 56 deputetë votuan për formimin e kabinetit të tij, 52 ishin kundër, ndërsa katër abstenuan. Kështu, Kurti nuk arriti shumicën e nevojshme prej 61 votash në një parlament me gjithsej 120 vende.”
Sipas “Berliner Zeitung”, votimi mund të shihet si “një simptomë e një krize politike më të thellë në Kosovë”. Më tej shtohet se “prej më shumë se nëntë muajsh, bllokadat institucionale dhe përplasjet partiake e kanë paralizuar vendin. Kurti, që nga viti 2020 udhëheq shtetin e ri ballkanik si Kryeministër, konsiderohet nga shumë analistë si shkaku kryesor i kësaj ngecjeje.”
Qasja e tij “shpesh e ashpër dhe konfrontuese ndaj kundërshtarëve politikë e ka mbajtur Vetëvendosjen – pavarësisht humbjeve – si forcën më të madhe politike në vend, por njëkohësisht e ka bërë pothuajse të pamundur krijimin e koalicioneve”, shkruan gazeta.
Tani, zgjidhja e krizës i takon presidentes Vjosa Osmani, e cila ka detyrimin që brenda dhjetë ditësh të emërojë një kandidat të ri për formimin e qeverisë. “Nëse dështon edhe kjo përpjekje, Kushtetuta parashikon mbajtjen e zgjedhjeve të reja brenda 40 ditësh”, shkruan “Berliner Zeitung”.




