Komisioni i Ligjeve, me nëntë votat e mazhorancës ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për shkarkimin e Presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj.
Raporti i Komisionit të Ligjeve do ti dërgohet seancës plenare.
Gjatë fjalës së tij në Komision, përfaqësuesi i PD-së, deputeti Gjin Gjoni, renditi disa nga shkeljet që sipas tij, Begaj ka kryer gjatë ushtrimit të detyrës.
Ai tha se dekreti për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë Tiranë ishte anti-kushtetues dhe Presidenti sipas Gjonit, ka marrë kompetencat e sistemit gjyqësor dhe ka shkaktuar konfuzion te zgjedhësit.
Gjoni shtoi se Begaj nuk mund të vijojë më të jetë kryetar i Shtetit dhe përfaqësues i unitetit kombëtar.
“Grupi i PD ka paraqitur kërkesën për fillimin e procedurës parlamentare për shkarkimin e Presidentit Begaj. Ne jemi të bindur se Begaj nuk mund të vazhdojë të jetë kryetar i shtetit dhe përfaqësues i unitetit të popullit. Kemi arritur në konkluzionin që Begaj ka konsumuar 7 shkelje të Kushtetutës dhe ligjit, mjaftueshëm për ta shkarkuar atë”.




