Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me vendimin e Qeverisë në detyrë për të miratuar dhe proceduar në Kuvend Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin fiskal 2026, në një periudhë kur vendi ende nuk ka një qeveri të re.
Ata thonë se këto vendime duhet të merren nga një qeveri me mandate të plotë dhe se legjislacioni aktual qartaz e kufizon fushëveprimin e qeverisë në detyrë, duke i lejuar asaj vetëm aktivitete të domosdoshme dhe përmbushjen e obligimit teknik për paraqitjen e projektbuxhetit, por jo miratimin.
OEAK e vlerëson se edhe çështja e rritjes së pagës minimale nga 350 në 500 euro duhet të bazohet të analiza gjithëpërfshirëse të tregut të punës, që të sigurohet një baraspeshë ndërmjet mirëqenies së punonjësve dhe konkurrueshmërisë së bizneseve.
Oda Amerikane bën thirrje për përmbajtje institucionale, respektim të plotë të parimeve kushtetuese dhe ligjore, duke theksuar se është e domosdoshme që çdo vendim i Qeverisë në detyrë, të ndërmerret në përputhje të plotë me kufizimet ligjore që burojnë nga statusi i saj si qeveri kujdestare, si dhe me dispozitat që përcaktojnë se një person nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe atë të anëtarit të Qeverisë.




