Në Komunën e Klinës, duket se partia që aktualisht udhëheq komunën, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në krye me Zenun Elezajn, ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për balotazhin e 9 nëntorit, ku në garë janë AAK dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Kandidat për kryetar nga radhët e PDK-së është Sokol Bashota.
Sipas burimeve lokale, marrëveshja mes AAK-së dhe LDK-së përfshin bashkëpunim politik në raundin e dytë të zgjedhjeve, në përpjekje për të siguruar fitore ndaj PDK-së.
Megjithatë, kandidati i PDK-së, Sokol Bashota, në një intervistë për Klina.info, ka mohuar kategorikisht ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë, duke e quajtur atë “spekulim medial”.
Balotazhi në Klinë do të zhvillohet më 9 nëntor, ndërmjet Zenun Elezajt (AAK) dhe Sokol Bashotës (PDK), në një garë që pritet të jetë ndër më të ngushtat në vend.




