Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë sot përpjekjen e 43-të për t’u konstituuar, më shumë se pesë muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Seanca është ftuar për në orën 11:00.
Deri tani, nuk është arritur të zgjedhën kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, duke shkaktuar një ngërç institucional. Në seancën e së shtunës, që u vonua për shkak të një alarmi për bombë, dështoi miratimi i komisionit për votim të fshehtë që do të mundësonte zgjedhjen e kryetarit.
Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e madhe, ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare dhe ka kërkuar votim të fshehtë. Kjo kërkesë është kundërshtuar nga PDK, LDK, AAK dhe Nisma, të cilat e akuzojnë Vetëvendosjen për mungesë bashkëpunimi.
Presidentja Vjosa Osmani ka apeluar për përgjegjësi politike dhe ka kërkuar që deputetët të tejkalojnë dallimet për të funksionalizuar Kuvendin. Gjykata Kushtetuese e detyroi Kuvendin të konstituohet brenda 30 ditëve, por nuk ka specifikuar pasojat në rast dështimi. Nëse tentativa e sotme dështon, mund të shkojmë drejt zgjedhjeve të reja, çka do të thellonte krizën politike dhe institucionale.




