Propozimi i Glauk Konjufcës për mandatar të ri për krijimin e qeverisë së re nga kreu i Vetëvendosjes, ka marrë mbështetjen e grupit multi-etnik.
Elbert Krasniqi që është deputet i Kuvendit të Kosovës e lider i Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës, në emër të grupit multi-etnik në Kuvendin e Kosovës ka dalë në mbështetje të Glauk Konjufcës si i propozuari i dytë për formimin e qeverisë së re.
Ai ka thënë se Kosovës i duhet sa më parë formimi i Qeverisë dhe kësisoj edhe marrja e vendimeve që ai i ka quajtur të rëndësishme, duke përmendur këtu përveç buxhetit të shtetit edhe atë të RTK-së e të tri komunave.
“Dua të përshëndes dhe njëherësh shpreh mbështetjen për vendimin dhe lëvizjen e kryeministrit Kurti, kryetarit të LVV, Albin Kurti në drejtim të zhbllokimit dhe krijimit të institucioneve, përkatësisht Qeverisë së Kosovës”, ka shkruar në rrjete sociale Krasniqi, që është edhe si ministër në detyrë për Administrimin e Pushtetin Lokal.




