Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) mirëpret publikimin e Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën 2025 dhe vlerësimet pozitive për përkushtimin e sistemit gjyqësor në forcimin e sundimit të ligjit.
Raporti njeh përkushtimin e udhëheqjes së KGJK përavancimin e transparencës, përmirësimin e performancësgjyqësore dhe zbatimin e reformave për efikasitet më të madh, përfshirë miratimin e strategjive të reja për komunikim institucional dhe për trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, zhvillimin e sistemit të vlerësimit të performancës dhe promovimin e publikimit të aktgjykimeve. Po ashtu, Raporti vlerëson në aspektin pozitiv trajtimin efektiv të ankesave nga Paneli i Ankesave dhe Parashtresave Zgjedhore (PZAP) dhe Gjykata Supreme, me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve.
KGJK e mirëpret vlerësimin për ekzistimin e dokumenteve strategjike dhe përkushtimin e tij për forcimin e sundimit të ligjit, duke theksuar se gjatë periudhës raportuese ka miratuar Planin Strategjik për Komunikim në sistemin gjyqësor 2025–2027 dhe Planin Strategjik për trajtimin efikas të rasteve të korrupsionit, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe krimit të organizuar 2025–2027.
Këshilli Gjyqësor mbetet i përkushtuar për të përmirësuar funksionet menaxheriale dhe mekanizmat e llogaridhënies, për të siguruar performancë dhe cilësi në punën e gjykatave. Po ashtu, pavarësia dhe paanshmëria e gjyqësorit mbeten parime themelore në funksionimin e sistemit, dhe çdo ndikim i papërshtatshëm është i papranueshëm.
KGJK njeh nevojën për zbatim më të qëndrueshëm të Sistemit të Informimit për Menaxhimin e Lëndëve (CMIS) dhe për forcimin e zbatimit të kodit etik dhe procedurave disiplinore. Këshilli do të vazhdojë përpjekjet për garantimin e drejtësisë së paanshme, transparencës dhe verifikimit të pasurisë së gjyqtarëve në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Në fushën e efikasitetit, KGJK thekson se janë ndërmarrë masa konkrete për përmirësimin e normës së zgjidhjes së rasteve dhe reduktimin e lëndëve me të vjetra, ndërsa procesi i digjitalizimit dhe përdorimi i pajisjeve për regjistrim audio e video në gjykata po zbatohen me prioritet.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës riafirmon përkushtimin e tij për forcimin e pavarësisë, integritetit dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor, duke garantuar qasje të barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
KGJK vlerëson se gjetjet e raportit janë një dëshmi e progresit të arritur në drejtim të forcimit të pavarësisë, integritetit dhe llogaridhënies së gjyqësorit.





