Dhuna në familje si fizike por edhe psiqike, ende mbetet një sfidë për institucionet e vendit.
Vetëm në 24-orët e fundit të datës 7 nëntor janë raportuar 8 raste të dhunës në familje në gjithë territorin e Kosovës.
Në Malishevë, një burrë u arrestua për dhunë psiqike ndaj bashkëshortes, dhe me vendim të prokurorit u dërgua në mbajtje.
Në Gjakovë, policia ka arrestuar një burrë i cili kishte sulmuar fizikisht motrën e tij por më pas është liruar në procedurë të rregullt ndërsa viktima ka marrur trajtim mjekësor.
Raste të ngjashme janë raportuar edhe në qytete tjera, në Rahovec një burrë është arrestuar pasi që i njëjti kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij. Me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje dhe më pas është transferuar në spitalin psikiatrik të Gjakovës.
Në Ferizaj, një grua ka raportuar se po përballet me presion psiqik nga burri i saj, i cili më vonë gjatë intervistimit ka pranuar që posedon një armë zjarri, që më vonë është sekuestruar dhe ai u lirua në procedurë të rregullt.
Edhe në Pejë një burrë është arrestuar për sulm fizik ndaj bashkëshortes së tij, i njëjti është dërguar në mbajtje.
Ndërsa në Istog janë regjistruar dy raste të ndara, fillimisht një grua ka raportuar për një shqetësim që po i pëhet nga një burrë tjetër me të cilin kishin qenë më parë në një lidhje dashurie, e në rastin tjetër një burrë dhe një grua kanë sulmuar fizikisht një grua tjetër, por më vonë janë liruar në procedurë të rregullt.
Një rast më i rëndë ka ndodhur në Gllogoc, ku një person ka sulmuar fizikisht prindërit e tij dhe më pas i ka larguar nga shtëpia.
Me vendim të prokurorit, ai është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Policia e Kosovës ka theksuar se dhuna në familje mbetet ndër sfidat më të mëdha të sigurisë publike, ndërsa ka bërë apel që rastet e tilla të raportohen menjëherë, për të parandaluar eskalimin e tyre në pasoja më të rënda.




