Noizy ndalohet në Zvicër, menaxhmenti: “Një keqkuptim i madh, nuk ka asnjë hetim penali
Rap-artisti i njohur shqiptar, Noizy, është ndaluar ditë më parë në aeroportin e Cyrihut, Zvicër, menjëherë pas mbërritjes për një turne promovues të albumit të tij më të ri, “Icon”.
Ndalimi i tij nga autoritetet zvicerane ka shkaktuar menjëherë reagime dhe spekulime në media dhe rrjete sociale, ku disa raportime e lidhën atë me hetime të Zyrës së Prokurorit për Krime të Rënda dhe të Dhunshme.
Megjithatë, menaxhmenti i artistit mohon kategorikisht këto pretendime.
Menaxhmenti ndërkombëtar i Noizyt, kompania “Universal” nga Gjermania, ka angazhuar ekipin ligjor për të sqaruar ngjarjen dhe për të mbrojtur emrin e artistit.
Në reagim, menaxhmenti dhe familja distancohen nga çdo lajm i rremë që lidhet me emrin e tij dhe theksojnë se Noizy nuk ka asnjë konflikt me ligjin dhe se emri i tij po keqpërdoret nga palë të treta.
Fansat mbeten në pritje të rikthimit të tij në skenë, ndërsa menaxhmenti premton që gjithçka do të zgjidhet shpejt.




