Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) kërkon masa urgjente për parandalimin e zjarreve në deponitë e mbeturinave, sidomos gjatë verës kur rreziku rritet për shkak të temperaturave të larta.
AMMK thekson se zjarret në deponi paraqesin rrezik serioz për shëndetin e njerëzve dhe mjedisin. Komunat, operatorët e mbeturinave dhe menaxherët duhet të përforcojnë inspektimet dhe patrullimet, të krijojnë breza të pastruar rreth deponive dhe të sigurojnë pajisje dhe ujë për ndërhyrje të shpejtë.
Ndër pasojat nga djegia e mbeturinave janë ndotja e ajrit, tokës dhe ujit, si dhe rreziqe të mëdha për shëndetin, përfshirë sëmundje të frymëmarrjes dhe probleme të tjera serioze.
AMMK u bën thirrje qytetarëve të raportojnë çdo rast zjarri apo tym të dyshimtë.




