Lidhja Demokratike e Kosovës përmesa një komunikate për media ka bërë të ditur se refuzon mënyrën e papërgjegjshme me të cilën Vetëvendosja po tenton, sërish, të përdorë institucionet e Republikës si instrument të lojërave të saj politike.
“Prej tetë muajsh, vendi mbahet në pasiguri politike nga të njëjtët që sot paraqesin si urgjencë atë që vetë e kanë zvarritur. E njëjta logjikë u pa edhe me zvarritjen 15 ditore të mandatarit pa numra, një proces i humbur që nga fillimi dhe i përdorur vetëm për propagandë.”-thuhet në komunikatën e LDK-së.
Tutje LDK thotë se po të kishin vullnet për krijimin e shumicës parlamentare, konsultimet do të ishin bërë me kohë dhe me të gjitha partitë.
“Qëllimi nuk ka qenë shumica, por materiali elektoral, mbajtja peng e vendit dhe prodhimi i skenave të radhës.”
Agjenda e seancës së orës 11:00 përfshin marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore që kërkojnë proces serioz e konsultim. LDK nuk merr pjesë në improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate.
LDK do të marrë pjesë vetëm në seancën e orës 14:00, sapo të pranojmë ftesën dhe rendin e ditës për çështjen e mandatarit, sipas tyre në përputhje me bindjet, vlerat dhe besimin e votuesve tanë.
LDK mbetet e përkushtuar ndaj rendit, ligjshmërisë dhe stabilitetit të Republikës dhe se nuk bëhen pjesë e skenarëve populistë dhe të krizave të fabrikuara për interesa zgjedhore.




