Oda e Avokatëve të Kosovës ka mbajtur ceremoninë e Betimit Solemn për 30 avokatë dhe 37 praktikantë, në të cilën kryetari i Odës, Besnik Berisha, u kërkoi juristëve të rinj ta mbrojnë me dinjitet petkun e avokatit dhe të jenë të qëndrueshëm përballë sfidave profesionale.
Berisha tha se ky betim i bën ata pjesë të sistemit të drejtësisë dhe depozitues të një përgjegjësie që prek jetët e qytetarëve.
Ai theksoi se avokatët e rinj po hyjnë në një profesion ku nuk mjafton interpretimi i ligjit, por duhet angazhim aktiv në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe funksioneve demokratike të shtetit. Sipas tij, Oda e Avokatëve do të mbetet mbështetje e pandashme për secilin prej tyre.
“Për disa, ky proces mund të duket i thjeshtë, por ky betim ju bën të veçantë: ju bëheni pjesë e sistemit të drejtësisë dhe i shërbeni qytetarit, misionit dhe funksionit tuaj. Petkun e avokatit mos e lejoni të nëpërkëmbet, sepse misioni ynë është i përbashkët, të drejtat themelore të njeriut janë themeli i demokracisë” tha ai.
Pas fjalës së tij, Berisha bashkë me avokatët e rinj zhvilluan ceremoninë e betimit.




