Presidentja Vjosa Osmani udhëtimin e saj në Shqipëri e ka quajtur “Udhëtim zemre nëpër historinë e përbashkët”.
Osmani ishte pjesëmarrëse në gjitha organizimet shtetërore që atje u mbajtën në shënim të 113 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar.
E para e shtetit thotë se ky 28 Nëntor ishte kujtesë dhe premtim njëkohësisht.
“Dhe mbrëmja na bashkoi në Tiranë, në Pallatin e Brigadave, aty ku drita e ceremonisë i jep jetë kujtesës sonë të përbashkët. Në atë hapësirë ku Shqipëria dhe Kosova nuk qëndrojnë si dy vende, por si një zemër e vetme që rreh përpara, me besim e me dinjitet. Ky 28 Nëntor ishte kujtesë dhe premtim njëkohësisht: se rruga jonë është e gjatë, por e jona; se historia nuk na ka lënë vetëm plagë, por edhe shumë arsye për të qenë krenarë. Dhe mbi të gjitha, se bashkë, shqiptarë kudo që jemi, mbetemi një komb që di të ngrihet, të festojë dhe të shikojë kah e nesërmja me kokën lart”, ka shkruar Osmani.




