Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë finalizuar marrëveshjen e koalicionit për qeverisjen e komunës së Rahovecit.
Kryetar i komunës do të jetë Smajl Latifi nga AAK, ndërsa PDK do të marrë disa pozita kyçe në ekzekutiv.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi kryetari i degës së PDK-së, Edon Cana, i cili bëri të ditur se bashkëqeverisja do të bazohet në planprogramin e PDK-së për periudhën 2025–2029.
Sipas Canës, marrëveshja parasheh që PDK t’i udhëheqë tri drejtori të rëndësishme, si dhe të ketë pozitën e nënkryetares së komunës.
“Jemi marrë vesh në parim, të propozuar prej AAK-së. Tri drejtori të rëndësishme dhe një nënkryetare.
Drejtoritë do të jenë në përputhje me planprogramin që kemi shpalosur, por edhe në fusha të tjera do të jemi në përputhje me parimet e qeverisjes. Këtë po e bëjmë për qytetarin e Rahovecit,” ka deklaruar Cana për Insajderin.
Në zgjedhjet lokale, Edon Cana mori 3,327 vota (15.31%) në raundin e parë, ndërsa Smajl Latifi siguroi fitoren në raundin e dytë me 8,521 vota (52.17%).




