Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar disa dispozita të Statutit dhe Rregullores së Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” (UP), duke konstatuar se ato cenojnë parimet e barazisë dhe meritokracisë.
Sipas vendimit, neni 153 paragraf 3 dhe 4 i Statutit të UP-së dhe neni 7 paragraf 6 i Rregullores nr. 2/254, të cilat ndalonin automatikisht angazhimin e kandidatëve me familjarë të punësuar në njësinë akademike përkatëse, shkelin parimet kushtetuese dhe ligjore të mundësive të barabarta, meritokracisë dhe ndalimit të diskriminimit.
Gjykata thekson se ekzistenca e lidhjeve familjare nuk përbën automatikisht nepotizëm dhe që masat absolute të parashikuara në Statut dhe Rregullore tejkalojnë qëllimin legjitim të parandalimit të konfliktit të interesit, duke vendosur ndalesa të përgjithshme pa marrë parasysh rrethanat konkrete të rastit.
Ky vendim synon të garantojë mundësi të barabarta për të gjithë kandidatët në konkurrimin për pozita akademike dhe respektimin e meritës dhe transparencës në proceset e angazhimit në UP.




