As në tentativën e 50-të, deputetët nuk arritën ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ende vazhdon mospajtimi midis Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive të tjera politike për krijimin e një komisioni që do të mundësonte votimin e fshehtë për kandidaten për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Kryesuesi Avni Dehari, edhe këtë herë, ndërpreu fjalimet e disa deputetëve, përkatësisht Elmi Reçicës nga PDK-ja, Armend Zemajt nga LDK-ja dhe Time Kadrijajt nga AAK-ja. Në sallë ishin të pranishëm 104 deputetë, ku 53 prej tyre votuan pro, pa asnjë votë kundër apo abstenim.
Seanca përfundoi sërish pas vetëm disa minutash, dhe kryesuesi Dehari u bëri thirrje deputetëve që të mblidhen përsëri pas 48 orësh, më 23 korrik.




