Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë parti e parë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në pjesën dërrmuese të komunave me shumicë shqiptare në Kosovë, sipas rezultateve preliminare.
Sipas këtyre të dhënave, LVV nuk ka arritur të renditet e para vetëm në tri komuna shqiptare. Në Skenderaj dhe Drenas kryeson Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ndërsa në Deçan fituese ka dalë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Në të gjitha komunat e tjera me shumicë shqiptare, LVV ka siguruar epërsi ndaj partive rivale.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk ka arritur të dalë parti e parë në asnjë komunë.
LVV ka dalë forcë e parë në komunat: Prishtinë, Prizren, Pejë, Ferizaj, Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë, Podujevë, Vushtrri, Fushë Kosovë, Suharekë, Rahovec, Lipjan, Klinë, Malishevë, Shtime, Istog, Dragash, Obiliq, Viti, Kaçanik, Kamenicë, Hani i Elezit dhe Junik.
Ndërkohë, Lista Serbe ka dalë parti e parë në të gjitha komunat me shumicë serbe, duke ruajtur dominimin e saj tradicional në këto zona. Në komunën e Mamushës, sipas rezultateve preliminare, kryeson Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP).
Këto rezultate tregojnë një mbështetje të gjerë për Lëvizjen Vetëvendosje në nivel vendi, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pas përfundimit të të gjitha procedurave ligjore.




