Sot, në ambientet e Gjykatës Themelore të Prishtinës, u zhvillua ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës së Kryetarit të Gjykatës. Gjyqtari Ngadhnjim Arrni ka pranuar zyrtarisht këtë detyrë nga ushtruesja e detyrës së kryetares, gjyqtarja Ilire Vitija Bajraktari.
Gjatë ceremonisë, Arrni shprehu mirënjohje ndaj Vitija Bajraktarit për kontributin dhe angazhimin e saj gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës si kryetare dhe nënkryetare. Ai u zotua se do të punojë me përkushtim maksimal gjatë mandatit pesëvjeçar në funksionin e kryetarit.
Kryetari i sapoemëruar vuri theksin tek prioritetet e tij kryesore, duke nënvizuar se do të angazhohet për forcimin e një gjyqësori të pavarur, efikas, transparent dhe llogaridhënës, duke garantuar drejtësi dhe besueshmëri në shërbim të qytetarëve.
Gjyqtari Ngadhnjim Arrni është zgjedhur Kryetar i Gjykatës Themelore të Prishtinës më 26 dhjetor 2025, me vendim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Ceremonia e pranim-dorëzimit shënon fillimin e zyrtarizimit të këtij mandati dhe konfirmon angazhimin e tij për zhvillimin e drejtësisë në nivel lokal.




