Një aksion i gjerë i Policisë dhe Prokurorisë në Byronë Kosovare të Sigurimit (BKS) ka zbardhur një skemë të dyshuar të përfitimeve familjare dhe keqpërdorimit financiar, raporton Insajderi. Hetimet disa-mujore kanë rezultuar me arrestimin e 39 personave, nën dyshimet për “avullimin” e mbi 1.3 milion eurove nga BKS-ja.
Në mesin e të arrestuarve janë edhe anëtarë të familjes Çollaku, përfshirë Yll Çollakun, gruan e tij dhe nënën, të cilët dyshohet se kanë përfituar nga transaksione të dyshimta. Sipas Prokurorisë, janë dokumentuar 166 transferta financiare, me vlera që arrijnë deri në 68 mijë euro për një pagesë të vetme, mjete që më pas janë tërhequr në para të gatshme.
Dyshimet lidhen me përfundimin e mjeteve të BKS-së në llogari bankare të familjarëve të ndërlidhur me rrjetin e zyrtarëve të lartë të arrestuar, Sami Mazreku dhe Valon Berisha. Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë, ndërsa të arrestuarit pritet të përballen me procedura të mëtejme ligjore.




