Deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka kritikuar ashpër qeverinë për menaxhimin e situatës me vërshimet dhe incidentet e fundit, duke e cilësuar si një “dështim total institucional”.
Sipas Tahirit, ekzekutivi po prioritizon rehati elektorale mbi jetën e qytetarëve, duke i parë ata vetëm si numra votash. Ai përmendi rastin e fundit në Gjakovë, ku u dogj një prej bizneseve më të mëdha, duke akuzuar mungesë të plotë të reagimit nga institucionet qendrore dhe lokale.
Tahiri kërkoi ngritjen e menjëhershme të një task-force kombëtare që të përfshijë institucionet qendrore, lokale dhe kapacitete private për të menaxhuar emergjencat, duke paralajmëruar se rënia e temperaturave mund të lërë qindra familje të pastreha. Ai tha: “Mos flini më. Zgjedhjet kanë përfunduar. Është koha të veproni.”





