Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur në takim përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë–Serbi, Peter Sørensen, në selinë e KFOR-it në Camp Film City në Prishtinë.
Gjatë takimit u theksua bashkëpunimi i vazhdueshëm ndërmjet KFOR-it, EULEX-it dhe mbështetja ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja, si element kyç për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal. KFOR-i riafirmoi përkushtimin për zbatimin e mandatit të tij sipas Rezolutës 1244 të OKB-së, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.




