Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka komentuar vendimin e administratës amerikane për pezullimin e përkohshëm të lëshimit të vizave për imigrantë për qytetarë të 75 vendeve një masë që hyn në fuqi më 21 janar 2026 dhe zbatohet për vizat e qëndrimit të përhershëm (emigrantët).
Vendimi u mor si pjesë e rishikimit të procedurave të filtrimit dhe verifikimit, me qëllim që të sigurohet se aplikantët e imigrantëve janë financiarisht të pavarur dhe nuk do të bëhen “barrë publike” për sistemin e SHBA-së.
Sipas ambasadës, masa vlen vetëm për vizat e imigrantëve dhe nuk prek vizat jo-imigrante si ato për turistë, studentë apo punëtorë, dhe vizat tashmë të lëshuara nuk janë tërhequr. Aplikantët mund të dorëzojnë dokumentet dhe të shkojnë në intervista, por nuk do të lëshohet asnjë vizë imigranti deri në përfundim të pezullimit.
Autoritetet amerikane po komunikojnë drejtpërdrejt me aplikantët e prekur dhe këshillojnë përdorimin e burimeve zyrtare për informacion të fundit.




